Policia ka njoftuar se më datën 19.07.2025, rreth orës 22:40, ka pranuar dy video-inçizime në të cilat shfaqen dy persona duke shtënë me armë zjarri nga ballkoni i një shtëpie, gjatë një gazmendi familjar.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se pas angazhimeve të njësive operacionale, është identifikuar se aktiviteti është zhvilluar në fshatin Zaplluxhe të komunës së Dragashit.
“Me datën 20.07.2025, pas konsultimit me prokuroren e Shtetit, është marrë udhëzimi për të identifikuar personat që kanë shtënë me armë. Njësitë policore kanë filluar hetime, me ç’rast janë identifikuar dy të dyshuar, të cilët kishin shtënë nga ballkoni i shtëpisë së tyre. Të dyshuarit kanë dorëzuar vullnetarisht dy armë – pistoleta me gaz, si dhe tre gëzhoja, për të cilat kanë deklaruar se janë përdorur gjatë gazmendit”, shkruan tutje në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Dragash, ndërsa prokurorja e Shtetit ka urdhëruar që të intervistohen në prani të avokatit, dhe ka lëshuar aktvendim për ndalim në mbajtje deri në 48 orë.