Në ditët e fundit, moti i lig ka përfshirë pjesë të ndryshme të Evropës Juglindore, duke shkaktuar stuhi, breshër dhe erëra të fuqishme që kanë sjellë dëme të konsiderueshme në shumë vende. Nga Sllovakia në Kroaci, e më pas në Hungari dhe Serbi, ky fenomen i jashtëzakonshëm ka shkaktuar ndërprerje energjie, rrëzim kulmesh dhe pemësh, si dhe bllokim rrugësh dhe hekurudhash.
Paralajmërimet vazhdojnë për përkeqësim të motit në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën.
Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët për kujdes të shtuar dhe gatishmëri ndaj kushteve të pafavorshme atmosferike, pasi që pritet që moti i lig të godasë Kosovën gjatë së martës dhe të mërkurës.
Ndërkohë, pjesa lindore e Sllovakisë, si dhe disa vende të Ballkanit, janë prekur nga moti i lig. Stuhitë, vende-vende, sollën breshër, por dëmet më të mëdha u shkaktuan nga erërat e fuqishme që në disa zona tejkaluan shpejtësinë prej 100 km/h. Si pasojë, janë rrëzuar kulmet e objekteve, ndërsa shkulja dhe rrëzimi i pemëve bllokuan rrugët dhe hekurudhat.
Një stuhi e madhe me breshër, brenda disa minutave, paralizoi edhe qytetin e Splitit në Kroaci, ndërsa mot i ngjashëm preku edhe kryeqytetin Zagreb. Qyteti mbeti pa furnizim me energji elektrike, ndërsa dëme u shkaktuan në disa objekte. Erëra të fuqishme dhe dallgë të larta në det bënë që anijet të përplaseshin me njëra-tjetrën. Shpejtësia e erës raportohet të ketë arritur deri në 128 km/h. Si pasojë e këtij moti, u dëmtua rëndë stadiumi “Poljud” i klubit të futbollit Hajduk, ku u shkatërrua çatia e stadiumit, ndërsa fusha u përmbyt.
Të hënën pasdite, një stuhi e fuqishme goditi edhe Hungarinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kulmet e objekteve u rrëzuan, pemët u shkulën nga rrënjët, duke krijuar pengës dhe bllokuar rrugë e hekurudha.
Moti i lig preku gjithashtu qytetet e Suboticës dhe Zrenjaninit në Vojvodinë, Serbi. Sipas raporteve fillestare, në Zrenjanin kanë rënë rreth 10 litra shi për metër katror, ndërsa stuhi e tërthortë zgjati rreth 20 minuta.