Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se partia e tij sot do të dorëzojë një rast të ri në Gjykatën Kushtetuese kundër LVV-së.
Krasniqi i ka bërë thirrje Kurtit që të tërhiqet nga pengmarrja e shtetit.
“I bëjmë sërish thirrje Kurtit që të tërhiqet nga qëndrimi i tij imponues, nga pengmarrja e shtetit dhe të ndryshojë propozimin e tij dhe të kthehet në normalitetin e rrjedhjes së seancës siç ka kërkuar edhe aktgjykimi i Kushtetueses”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se tri vazhdimet e fundit të seancës kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije e Kushtetutës.
“Këto shkelje janë bërë nga ana e kryesuesit të seancës me instruksione të partisë së tij, dhe ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe për këtë arsye sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në Gjykatën Kushtetuese”, tha Krasniqi. /Telegrafi/