Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar miratimin e Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, e cila e shpallte Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë në Jugosllavi, me rastin e 35-vjetorit të saj.
“Në pikën numër 2 të saj, në këtë deklaratë shkruhej: “Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.” Kjo deklaratë erdhi një vit pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhunshëm nga Serbia, e cila duke e synuar Serbinë e Madhe, praktikisht e ripushtoi Kosovën më 1989, para se t’i fillonte me radhë luftërat në Jugosllavi me sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët. Dy muaj më pas, po këta delegatë të Kuvendit të Kosovës, të mbledhur në Kaçanik më 7 shtator 1990, e shpallën Republikën e Kosovës dhe e miratuan Kushtetutën e saj. Ajo do të ishte republika e parë e Kosovës, një republikë pa njohje ndërkombëtare por me një rezistencë që mori njohje dhe mbështetje ndërkombëtare, deri te lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai ka thënë se këto akte politike dhe këto dokumente juridike, janë me rëndësi historike në historinë politike të Kosovës.
“Këto akte politike dhe këto dokumente juridike, janë me rëndësi historike në historinë politike të Kosovës. Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese në qershor 1999 dhe shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, projekti i shtetit të Kosovës ka përparuar vazhdimisht në rrugën e shtetndërtimit, demokratizimit dhe integrimit ndërkombëtar. Me mirënjohje për kontributin e të gjitha gjeneratave që kanë punuar për Kosovën!”, theksoi Kurti.