Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka reaguar drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se ulja e tensioneve duhet të vlejë barabartë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Petkoviq është ankuar pas vendosjes së gurthemeleve nga autoritetet e Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.
Ambasada e Gjermanisë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprimet përshkallëzuese, por Petkoviqit ia ka përmendur dështimin e Serbisë për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Siç e kemi deklaruar vazhdimisht në përgjigjet tona të mëparshme, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga lëvizjet përshkallëzuese. Megjithatë thirrja për ulje të tensioneve duhet të vlejë në mënyrë të njëjtë për të dyja palët. Sigurisht që nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon t’i zbatojë masat ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i këtij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës serbe, Milan Radoçiqi, pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellësisht përpjekjet për ta nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”, thuhet nga Ambasada e Gjermanisë. “Në gjermanisht ne themi, ‘Erstmal vor der eigenen hausturh kehren’ – së pari fshini para derës suaj. Duke e kthyer në situatën aktuale, kjo proverb na kujton se duhet ta rregullosh shtëpinë tuaj përpara se ta qortoni vazhdimisht Kosovën për vendimet e saja”.
Ambasada tha se mosveprimi i Serbisë në ndjekjen penale ndaj shkelësve të dhunshëm është po aq për keqardhje dhe kundërproduktive sa çdo masë e pakoordinuar e marrë nga pala kosovare.
Petkoviq në një deklaratë për “Tanjug” ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po rrezikon “mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Ai tha se “asnjë serb nuk e miraton ndërtimin e urave” dhe e quajti vendimin si “partiak”. Petkoviq tha se për këtë çështje ka biseduar edhe me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
“Ky është një vendim partiak i Vetëvendosjes që mbart pasoja katastrofale. Duke njoftuar se urat do të hapen në tetor para zgjedhjeve lokale, Kurti po e vë me vetëdije çështjen e sigurisë në shërbim të fushatës zgjedhore. Kjo është arsyeja pse ai kaloi direkt nga takimi i Procesit të Berlinit në vendosjen e gurthemelit, duke treguar kështu se ndërtimi i paqes dhe bashkëpunimit nuk ka rëndësi për të! BE-ja duhet ta ndalojë Kurtin në planet e tij para se të jetë tepër vonë”, tha Petkoviq.