Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar nga rreziku i zjarreve.
Autoritetet kërkojnë nga qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies.
Policia paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj kujtdo që, me qëllim apo nga pakujdesia, shkakton rrezik për jetën ose pronën publike dhe private.
“Duke iu referuar temperaturave të larta, dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve. Policia e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.