Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nën tematikën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.
Ai udhëtoi mbrëmë për në Shkup, për të qenë pjesë e darkës me liderët pjesëmarrës në samit, të shtruar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, ndërkaq sot, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të parë të diskutimit ndërmjet liderëve me temën “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në fjalën e tij, Kurti vlerësoi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e BE-së për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta evropiane. Në këtë kuadër, ai kërkoi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian.
“Kryeministri Kurti rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për nismat e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe “Autostradën e Tregut të Përbashkët”, ndërsa propozoi tre sektorë të tjerë me potencial bashkëpunimi: shërbimet digjitale konkurruese, përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara; sektorin e mbrojtjes; dhe sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit. Për këtë nismë, ai shtoi se nearshoring-u duhet të jetë gjithashtu i orientuar drejt partnerëve të besueshëm (friendly shoring), dhe se kjo është një mundësi e madhe jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për Bashkimin Evropian”, njofton tutje Zyra e Kryeministrit.
Tutje, në njoftimin e ZKM-së bëhet e ditur se ai theksoi disa fusha të progresit që nga takimi i fundit në Kotor, përfshirë edhe kryesimin e Kosovës në CEFTA, si dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit, përfshirë atë për diploma dhe lëvizje të lirë me letërnjoftime.
“Pas vendimit për heqjen e vizave, hyrjet nga qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës në Kosovë u rritën dukshëm. Meqë qytetarët boshnjakë udhëtojnë lirshëm në Kosovë, edhe qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet e njëjta liri në Bosnje dhe Hercegovinë”, shkruan ZKM.
Në përmbyllje, bëhet e ditur se kryeministri Kurti theksoi se siguria është parakusht për zhvillim dhe rritje, duke vënë në pah se Ballkani Perëndimor nuk është i shkëputur nga rrafshi gjeopolitik i Evropës. Ai mirëpriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin që të pajiset me armë bërthamore, si dhe vendimin e anëtarëve të NATO-s në Samitin e Hagës për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të Bruto Prodhimit Vendor.