Invalidët e luftës në Kosovë do të pajisen me proteza ortopedike të avancuara përmes iniciativës së presidentes Vjosa Osmani dhe me mbështetjen e shtetit të Katarit.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se veçse kanë filluar ekzaminimet mjekësore të invalidëve të luftës që do t’i pajisë ata me proteza ortopedike të avancuara dhe trajtim mjekësor të specializuar.
“Ky projekt përfaqëson më shumë sesa ndihmë mjekësore—është një akt konkret falënderimi për ata që kanë sakrifikuar gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës. Ata nuk kanë humbur vetëm një pjesë të trupit, por kanë bërë sakrificën më të dhimbshme në ndjekje të idealit më të lartë: lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë”- kanë deklaruar nga Presidenca.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Qatar Fund dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se kujdesi për invalidët e luftës është një detyrim moral, shtetëror dhe njerëzor.
Ky projekt sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës ka ardhur falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Presidentes Vjosa Osmani dhe me mbështetjen e Qatar Fund for Development në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit.