Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që ndodhen aktualisht në këtë shtet të shmangin lëvizjet e panevojshme për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Izrael dhe rajon, respektiisht pasi Izraeli sulmoi Iranin, pasuar me sulme reciproke.
“Këshillojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 13.06.2025.
Ministria e Jashtme i ka udhëzuar qytetarët kosovarë në Izrael të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat janë të qasshme përmes faqes zyrtare: https://www.oref.org.il/eng.
MPJD gjithashtu ka vënë në dispozicion edhe një numër kontakti për raste urgjente ose për ndihmë të menjëhershme: +972 (0) 586 340 450
Izraeli ka nisur të kryejë sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit të premten, duke thënë se në shënjestër kishte objektet bërthamore, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë dhe se ky ishte fillimi i një operacioni të zgjatur që të parandalojë Teheranin të prodhojë armë atomike, raporton Reuters.
Media dhe dëshmitarët iranianë kanë raportuar shpërthime, përfshirë në objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, ndërsa Izraeli ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në pritje të sulmeve hakmarrëse me raketa dhe dronë.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit ka njoftuar se komandanti i saj kryesor, Hossein Salami, u vra, dhe media shtetërore ka raportuar se selia e njësisë në Teheran është goditur. Disa fëmijë janë vrarë në një sulm në një zonë banimi në kryeqytet.