Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 14:00 do të mbajë takim të përbashkët konsultativ me partitë politike lidhur me caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Presidenca ka bërë të ditur se mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq pas takimit do të ketë komunikatë për media.
Menjëherë pas konsultimeve me partitë politike, presidentja pritet të caktojë datën e zgjedhjeve lokale.
Mu në ditën kur Presidenca bëri të ditur se e para e vendit do të takohet nesër (04.06.2025) me partitë politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve, Besa Shahini, ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri (bashkëshortja e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj), e bëri publike kandidaturën e saj për Kryeqytetin. Në mandatin e tanishëm, në krye të Prishtinës është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me Përparim Ramën.
Ndërkohë, PSD e ka bërë publike kandidaturen e Natyra Kuçit për kryetare të Komunës së Deçanit. Kjo Komunë aktualisht është nën udhëheqjen e Bashkim Ramosajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në anën tjetër, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje ia ka dhënë besimin edhe për një mandat të dytë kryetarit të tanishëm të Shtimes, Qemajl Aliut; kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj.
“Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën e ia japim mbështetjen e parezervë”- është fjalia e kësaj partie me të cilën ka nisur të bëj publike kandidaturat për këto zgjedhje lokale, e që deri më tani janë figura që i kemi parë në një mandat në krye të institucionit lokal.
Njëjtë si Vetëvendosja, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ia ka dhënë besimin Zenun Elezajt për të garuar edhe për një mandat për komunën e Klinës dhe Bali Muharremajt për një mandat të ri katërvjeçar në krye të komunës të Suharekës.
Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani publik e ka bërë emrin e Arbër Ismajlit si kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit. Në këtë mandat Gjilanin e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje me Alban Hysenin.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 17.10. 2021. Në zgjedhjet e kaluara ka prirë LDK për nga numri më i madh i votave, e pasuar nga LVV, e treta PDK, dhe e katërta AAK.
Derisa Kosova po afrohet drejt Zgjedhjeve lokale nuk është arritur ende konstituimi i Kuvendit të Kosovës, gati 4 muaj pas mbajtjes së Zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura më 09.02.2025.
Më 04.06.2025 Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herën e 26-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë.