Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, ka reaguar të hënën lidhur me aksionin e fundit të Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj disa zyrtarëve publikë dhe një përfaqësuesi të një kompanie private, të cilët dyshohen për përfshirje në vepra penale me elemente korrupsioni.
Në një deklaratë për media, LDK në Prizren ka mirëpritur këto veprime të organeve të drejtësisë, duke i vlerësuar si hap konkret drejt fuqizimit të sundimit të ligjit dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në institucionet publike.
“Dënojmë ashpër çdo formë të abuzimit me pozitën zyrtare, shpërdorimin e parasë publike dhe çdo veprim që cenon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore,” thuhet në reagimin e LDK-së.
Më tej, kjo degë e partisë opozitare thekson se qëndrimi i saj ndaj korrupsionit është i qartë dhe i palëkundur, duke rikujtuar se për raste të caktuara ka bërë edhe denoncime të drejtpërdrejta në organet përkatëse.
“Apelojmë për profesionalizëm, transparencë dhe veprim pa ndikime politike nga ana e drejtësisë, për të gjitha rastet ku dyshohet për shkelje të ligjit dhe cenim të interesit publik,” thuhet më tej në deklaratë.
LDK në Prizren bën të ditur se do të vazhdojë të angazhohet për një qeverisje të përgjegjshme, etikë institucionale dhe mbrojtje të interesit qytetar, duke u pozicionuar si një zë i fuqishëm në mbështetje të rendit dhe ligjit, thuhet në fund të reagimit nga Zyra për Informim e LDK-së në Prizren.