Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në mbledhjen e Kryesisë, sot, më 07.05.2025, ka diskutuar zhvillimet e fundit politike, bllokadën institucionale si dhe propozimet e iniciativat politike aktuale.
PDK po e konsideron të udhës formimin e një qeverie të re nga partitë opozitare, pa Lëvizjen Vetëvendosje.
Formimi i kësaj qeverie, sipas PDK-së, do ta nxjerrë Kosovën nga izolimi ndërkombëtar.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik” – thuhet në komunikatë.
PDK ka vlerësuar se bllokada e krijuar është nga papërgjegjësia e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, sipas saj, po e mban peng Kosovën.
“PDK vlerëson se vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale, si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme politike të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, por i cili në mungesë të shumicës parlamentare po vazhdon ta mbajë peng Kosovën. Në këtë situatë, çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës, meriton të dëgjohet dhe diskutohet” – thuhet në komunikatën e PDK-së.
Për tejkalimin e kësaj situate, PDK e konsideron të rëndësishme ndërhyrjen e presidentes së Kosovës duke thirrur në takim të gjitha subjektet politike parlamentare.
“Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale” – thuhet tutje në komunikatë.
PDK ka zhvilluar takime me të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, për kalimin e këtij ngërçi politik dhe përsëri shprehet e gatshme për takime.
Ndërsa, thirrja e PDK-së për LVV-ë është që “të mos abuzojë edhe më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit, por, të pranojë realitetin politik dhe të reflektojë për të mos e mbajtur peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake”.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e 12-të në seancën e mbajtur më 07.05.2025.
Sikurse edhe në tri seancat paraprake, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë dhënë propozime për anëtarë të komisionit zgjedhor për votim të fshehtë, duke e cilësuar ndryshimin e procesit të votimit për kryetar të Kuvendit në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Për krijimin e komisionit kanë votuar 56 deputetë, 1 ka qenë kundër, dhe asnjë abstenim.
Kështu, në mungesë kuorumi për vendimmarrje, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën duke paralajmëruar vazhdimin e saj më 09.05.2025 në ora 10:00.