Kompania turistike Bashkimi Reisen ka reaguar pas publikimeve mediatike dhe reagimeve politike lidhur me organizimin e ekskursionit të maturantëve të shkollës së mesme “Luciano Motroni” në Prizren, duke i cilësuar si të pasakta pretendimet për përfitime të padrejta apo shkelje të procedurave.
Në një sqarim për opinionin publik, kompania thotë se nuk ka pasur fare tender publik, dhe se përzgjedhja e tyre është bërë mbi bazën e ofertës më të favorshme që iu është prezantuar vetë nxënësve dhe prindërve të tyre.
“Çmimi i ofruar nga Bashkimi Reisen ka qenë 107 euro për nxënës, që përfshin pesë ditë qëndrim me akomodim, ushqim, aktivitete edukative dhe argëtuese, transport, përkujdesje shëndetësore dhe vizita në disa qytete të Shqipërisë,” thuhet në reagim. Ndërkohë, kompania pretendon se oferta e vetme konkurruese tjetër ka qenë më e shtrenjtë, me çmim prej 114 euro për nxënës.
Po ashtu, kompania ka sqaruar se nuk ka pasur përfshirje të buxhetit komunal në këtë organizim, dhe se të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga vetë prindërit e nxënësve. Ajo ka hedhur poshtë edhe shifrën prej 450 nxënësish të raportuar në media, duke sqaruar se në ekskursion kanë marrë pjesë 293 nxënës.
Bashkimi Reisen ka theksuar se operon që nga viti 2001 në fushën e turizmit dhe transportit dhe se ka organizuar ekskursione për të njëjtën shkollë edhe gjatë mandateve të mëparshme komunale, duke ofruar shërbime me të njëjtin standard.
Në fund të reagimit, kompania ka shprehur shqetësimin se pas publikimeve në media mund të fshihen motive konkurruese nga një operator tjetër, i cili sipas tyre ka sponsorizuar përmbajtjen dhe ka realizuar po ashtu ekskursione në shkolla të tjera me çmime më të larta, pa u përballur me asnjë reagim publik.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të ofruar shërbime të ndershme, cilësore dhe transparente. Nuk do të lejojmë që përpjekjet për të njollosur reputacionin tonë të krijojnë një narrativë të rreme,” përfundon reagimi i Bashkimi Reisen.