Policia ka njoftuar se të dielën, rreth orës 14:24, një person përmes telefonit ka raportuar policinë se në fshatin Leshan të Suharekës, tek vendi i quajtur ’’Tuma’’ është duke u djegur një veturë, dhe se brenda veturës gjendet një person i mbuluar nga flakët e zjarrit.
Sipas njoftimit, patrulla policore menjëherë ka shkuar në vend të ngjarjes si dhe janë informuar të gjitha njësitet përgjegjëse për rastin si: Zjarrfikësit, Emergjenca, Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor të Suharekës dhe Sektori Rajonal i Hetimeve, si dhe eksperti i zjarrëve.
“Nga informatat e para dyshohet se tek vendi i quajtur ‘’Tuma’’ personi, M.G., mashkull 82 vjeçar i cili ishte brenda automjetit të tij ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Me atë rast personi i cili kishte mbetur brenda ishte i djegur tërësisht me gjithë veturën në vend të ngjarjes. Lidhur me rastin në konsultim me Prokurorinë është hapur rasti “Hetim i vdekjes”. Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren”, thuhet tutje në njoftim.