Deputetët e Listës Serbe kanë nënshkruar tekstin e betimit si deputetë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Në dokument thuhet se zotohen për mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Me nënshkrimin e vënë nën tekstin e shkruar në gjuhen serbe, nëntë deputetët e rinj të Listës Serbe, janë deklaruar si ligjvënës të Republikës dhe janë zotuar se do të punojnë në interes të shtetit të Kosovës dhe të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit i shkruar në gjuhën serbe, që e kanë nënshkruar ligjvënësit e Listës Serbe.
Dokumentet e nënshkruar janë publikuar edhe nga avokati serb, Çedomir Stojkoviq në platformën X, i cili të gjithën e ka konsideruar si lojë të trefishtë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Në njërën anë nxit tensione dhe përplasje të armatosura, siç ndodhi në Banjskë më 2023, nga ana tjetër përpiqet ta bindë opinionin publik serb dhe Kishën Ortodokse se po e mbron Kosovën si pjesë të Serbisë. Ndërkohë, deputetët që kontrollon betohen në institucionet e Kosovës për të ruajtur pavarësinë e saj. Kjo lojë e dyfishtë, madje trefishtë, ka prodhuar vetëm urrejtje, manipulim dhe përplasje të dhunshme – duke nxitur përçarje ndërmjet komuniteteve dhe viktima të pafajshme, në një kohë kur paqja mund të ishte zgjedhja më e thjeshtë dhe më e drejtë”, ka shkruar avokati serb.
Deputetët e bënë betimin më 19 prill, në tentimin e tretë për ta konstituar legjislaturën e re.
Seanca konstituive ende nuk është përfunduar, ndonëse janë realizuar 10 vazhdime deri tash.