Takimi konsultativ i partive nuk ka përfunduar ende, por takimin e kanë braktisur përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së.
Përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së prapa kamerës kanë deklaruar për RTK-në se LVV ka sjellë sërish emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, prandaj e kanë quajtur të pakuptimtë ftesën e kryesuesit Avni Dehari për t’u konsultuar lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, pasi ata tashmë janë deklaruar se nuk kanë votë për kandidaten e propozuar nga LVV.
Takimi po mbahet në sallën 10 të kuvendit, derisa aty po marrin pjesë partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa nga partitë jo shqiptare dhe jo serbe. Ndërkohë, nga LDK nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
RTK ka arritur të marrë informata nga takimi nga përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-të, të cilët thanë se nuk ka asgjë te re
Sipas tyre është e pa kuptim pse i thërrasin në takim kur LVV sërish sjell emrin e njëjtë – atë të Albulena Haxhiut.
Kuvendi i Kosovës është paraparë të mblidhet sërish sot në orën 10:00, në përpjekjen e pestë brenda 9 ditësh, për të vazhduar konstituimin e legjislaturës së nëntë./rtk/