Me një paraqitje të shkëlqyer dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, nxënësit e Qendrës së Kompetencës “11 Marsi” në Prizren janë shpallur kampionë republikanë në sportin e Ping Pongut, duke sjellë një tjetër sukses të madh për arsimin dhe sportin shkollor të qytetit.
Ekipi fitues u dallua për performancën e tij të lartë gjatë garave, duke u kurorëzuar si më i miri në nivel republikan. Ky rezultat është fryt i punës, përkushtimit dhe përgatitjeve intensive të nxënësve dhe stafit pedagogjik të shkollës.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë për këtë arritje. Puna, angazhimi dhe mundi i nxënësve tanë po shpërblehen. Sot e dëshmuam se jemi më të mirët në Kosovë,” u shpreh përfaqësuesi i shkollës profesor Blerim Gashi .
Ky sukses ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për QK “11 Marsi”, por edhe për Komunën e Prizrenit, duke reflektuar zhvillimin dhe mbështetjen që po i jepet sportit shkollor në këtë komunë.
Përfaqësues nga Sporti Shkollor i Prizrenit kanë vlerësuar lart këtë fitore, duke e cilësuar si një shembull frymëzues për të rinjtë dhe një kontribut të çmuar për promovimin e sportit në nivel lokal dhe kombëtar.