Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, ka thënë se sipas hetimeve fillestare, dyshohet se motivi për vrasjen e policit Muhamet Lika, ka të bëjë me punën e tij si polic.
Këtë kryeprokurori Çerkini e tha gjatë një konference për media, pas një operacioni të Policisë dhe Prokurorisë në Kaçanik, ku u arrestuan 7 persona si të dyshuar në përfshirjen për vrasjen e policit Muhamet Lika.
“Është herët të flasim për motivin, por sipas asaj që kemi gjatë këtyre ditëve, motivi kryesor lidhet me punën e tij si polic, si pjesëtar i Policisë së Kosovës” – tha prokurori Çerkini.
Ndërsa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se disa nga të arrestuarit kanë raste kriminale, që ndërlidhen me prirje ekstremiste.
“Ne kemi arritur që të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë edhe për raste të mëhershme, kanë qenë të ndërlidhur me prirje ekstremiste. Janë persona të dyshimtë, të rrezikshëm të cilët ne dyshojmë se kanë kryer këtë vrasje dhe kanë planifikuar dhe kanë ekzekutuar” – tha Hoxha para gazetarëve.
Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka nisur një operacion policor në Kaçanik, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika.
Deri më tani janë 7 të arrestuar, ndërsa të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë nga planifikimi, e deri te ekzekutimi i policit.