Për herë të tretë, më të votuarit e zgjedhjeve të mbajtura më 09.02.2025, do të mblidhen në Kuvendin e Kosovës nga ora 12:00 për ta konstituuar legjislaturën e nëntë.
Deputetët e zgjedhur ende as betimin se kanë dhënë për shkak të ngërçit për ta kaluar raportin e Komisionit për Verifikim të Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve.
Kjo seancë pason pas 48 orëve nga ajo e fundit që dështoi pas më pak se një orë punime.
Partitë që deri më tani kanë qenë opozitë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrave në detyrë, përderisa ata insistojnë se janë dorëhequr.
Përtej saj, PDK, LDK, AAK po akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për veprime anti-kushtetuese përmes thirrjes për konsultime nga kryesuesi Avni Dehari në seancën konstituive. Sipas tyre kryesuesi nuk ka të drejtë. Ndërsa, LVV po e cilëson një gjë të tillë si përgjigje ndaj thirrjes së presidentes Vjosa Osmani për dialog për gjetjen e një zgjidhje.
Në Rend të ditës janë katër Pika:
- Formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të Deputetëve;
- Betimi i deputetëve;
- Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit;
- Zgjedhja e Nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, i shoqëruar nga deputetja më e re.
Në këtë rast deputeti i zgjedhur më i vjetër në moshë është Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe deputetja më e re është Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë. Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë. 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.