Në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kërkoi “mbështetje të qartë” për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.
Sipas MPJD-së, ajo ka theksuar rëndësinë e këtyre proceseve “jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin rajonal dhe sigurinë europiane.”
“Ministrja Gërvalla përmendi tre hapa urgjentë që kërkohen tani, e që kontribuojnë jashtë mase në stabilizimin e rrethanave në rajonin e Ballkanit Perendimor dhe hapjen e rrugës për integrimin e rajonit në BE. Hapat në fjalë janë: heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE” – thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Gërvalla thuhet se nënvizoi “përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës” ndaj dialogut të lehtësuar nga BE me Serbinë, dhe zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023.
“Ajo theksoi se ky proces duhet të çojë drejt njohjes reciproke dhe ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi bazën e barazisë dhe vlerave evropiane. Ajo kërkoi nga BE-ja edhe veprime ndaj Serbisë e cila në vazhdimësi e mohon marrëveshjen dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e saj”.
Diplomatja kosovare ka kërkuar më shumë mbështetje për aspiratat e Kosovës.
Në dritën e kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia dhe ndikimit rus në rajon, Ministrja Gërvalla bëri thirrje për mbështetje të fuqishme për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo kërkoi gjithashtu llogaridhënie të plotë për aktin e hapur të agresionit në Banjskë, si çështje kyçe për sigurinë rajonale dhe integritetin e BE-së”.
“Koha për veprim është tani. Mbështetja për Kosovën është investim për paqe, siguri dhe demokraci në gjithë Evropën,” citohet të ketë thënë Gërvalla.
Me ujdinë në Ohër, Kosova mori obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. E si “shpërblim”, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë.