Komuna e Prizrenit ka shpallur thirrjen për aplikim në kursin profesional për aftësim në artizanatin e filigranit.
Sipas njoftimit qëllimi i këtij projekti është ruajtja e vlerave artizanale dhe bartja e tyre tek gjeneratat e reja.
“Me qëllim të ruajtjes së vlerave artizanale dhe aftësimit profesional të të rinjve në këtë drejtim, Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Filigran”, organizon kursin profesional të artit të filigranit”, thuhet në njoftim.
“Kandidatët, aplikacionet duhet t’i plotësojnë në zyrat e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillim Ekonomik nga ora 08:00 deri në orën 16:00, çdo ditë pune”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.
Aktiviteti i prokurimit për këtë trajnim i iniciuar në muajin shkurt ishte anuluar disa javë më parë. Pavarësisht kësaj, drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Tarashaj asokohe pati theksuar se procedura e prokurimit do të zhvillohet sërish me qëllim që të organizohet trajnimi për zejen e filigranit.
Komuna e Prizrenit anulon prokurimin për trajnimin e filigranit, procedura do të përsëritet
Pas kësaj, njoftimi për kontratë me vlerën e parashikuar prej 9,900 eurove ishte publikuar me 19 mars 2025 dhe afati për dorëzimin e ofertave ka qenë data 26 mars 2025.