26 vite pas zhdukjes me dhunë të 24 shqiptarëve, sot në fshatin Rashiq të Pejës, është zbuluar një pllakë përkujtimore për memorializimin e 11 civilëve dhe 13 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të zhdukur me dhunë nga një grup ushtarësh serb në vitin 1999.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë.
“Më 7 prill të vitit 1999, në një zonë afër fshatit Lybeniq të Pejës, një grup ushtarësh serbë i zhdukën me dhunë 24 shqiptarë, prej të cilëve 11 civilë dhe 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 26 vite pas zhdukjes së tyre me dhunë, sot në fshatin Rashiq të Pejës, u zbulua një pllakë përkujtimore për memorializimin e këtyre 24 shqiptarëve”, ka thënë Kryeministri Kurti.
Në këtë pllakë përkujtimore u memorializuan: Hazir Bezeraj (1948), Januz Bezeraj (1939), Muhamed Bezeraj (1952), Abedin Shala (1980), Jeton Shala (1971), Nazmi Shala (1955), Sejdi Shala (1965), Selim Shala (1958), Valdet Shala (1981), Demë Shala (1954), Kushtrim Shala (1979), Agim Gjocaj (1957), Arben Gjocaj (1970), Lulzim Gjocaj (1973), Nazmi Gjocaj (1955), Selvete Gjocaj (1972), Syl Gjocaj (1976), Deli Bricori (1962), Bajram Velijaj (1976), Hasan Morina (1950), Rexhep Berisha (1962), Nebih Berisha (1970), Hazir Berisha (1948) dhe Avdi Berisha (1964).
“Serbia vazhdon t’i mbajë të paqasshme arkivat e ushtrisë dhe të policisë së saj, si dhe të refuzojë të bashkëpunojë plotësisht e për çdo rast për të dhënë informacione për të zhdukurit gjatë luftës.
Të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë. Historia e tyre do të mbetetet trashëgimi e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Lavdi”, ka thënë Kryeminisri Kurti.