Nga 12 serbët që janë ndaluar të dielën më 06.04.2025 në Prizren, dhjetë prej tyre pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt dhe dy janë ndaluar.
Kështu bëri të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“10 persona janë intervistuar si dëshmitarë dhe janë liruar, kurse dy tjerë janë ndaluar” – bëri të ditur ai më 06.04.2025.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se me anë të një operacioni të përbashkët të organeve të sigurisë, më 5 dhe 6.04.2025, janë ndaluar 16 persona, në katër automjete me targa të Kragujevcit. Derisa, për katër prej tyre tha se janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.
Sveçla bëri të ditur se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.
“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48-orëshe”- shtoi më tej Sveçla më 06.04.2025.
Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla më tej tha se grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë.
“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe” – ka shkruar ai.
Sipas Sveçlës, hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq.
“Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”- ka shtuar me tej Sveçla.
Lidhur me arrestimet ka reaguar edhe Dioqeza Rashkë-Prizren të cilët përmes një komunikate për media theksuan se arrestimi nuk ka ndodhur brenda hapësirës së Kishës dhe nuk kanë pasur njohuri për secilin person që ka ndjekur ceremoninë.