Armë të cilat mbaheshin pa pasur leje nga institucionet, janë sekuestruar në lokacione të ndryshme e nga persona të ndryshëm gjatë 24 orëve të fundit.
Në raportin policor të datës 05.04.2025, u njoftua për sekuestrimin e shtatë armëve të ndryshme të cilat u sekuestruan nga qytetarët.
Në një rast në regjionin e Gjilanit, në fshatin Stanishor, më 04.04.2025 është arrestuar një person i dyshuari, pasi që i njëjti sipas policisë kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë me 5 copë fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Në fshatin Dubravë të Ferizajt, në ditën e njëjtë, është arrestuar një tjetër i dyshuar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e kishte kanosur me armë zjarri një person tjetër. Nga i dyshuari është konfiskuar arma pistoletë me gaz me një fishek.
Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Prizren, njësitë policore gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar, kanë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjysmë-automatike, një pistoletë, 49 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm (dy nga ta me gaz) dhe një palë dylbi. I dyshuari është jashtë shtetit dhe i njëjti është ftuar që të paraqitet në polici..
Në fshatin Rugovë në Gjakovë është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që tek i njëjti është gjetur në posedim dhe konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje për bartje, por vetëm leje për gjuajtje në poligon. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Armë pa leje janë gjetur dhe sekuestruar edhe në Prishtinë. Policia ka njoftuar se në rrugën “Kosturi” në Prishtinë, njësitë policore pas pranimit të një informate kanë shkuar në vendin e ngjarjes, aty është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator me 6 copë fishekë si dhe një shurdhues i revoles. Rasti është duke u hetuar tashmë.
Edhe në Gushtericë të Poshtme në Graçanicë, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një armë-pistoletë me gaz dhe dy copë fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në rrugën “Adem Jashari” në Vushtrri” policia kishte kryer një kontrollë te një I dyshuar. Aty kishin gjetur dhe konfiskuar një boks të metalit.
Armët e sekuestruara nga policia në këto raste ishin pa leje për posedim dhe bartje, ndërsa nga analiza e ngjarjeve që janë regjistruar del se këto armë janë ndonëse pa leje u përdorën për të shtënë me to apo për të kërcënuar persona të tjerë.
Disa nga rastet që u regjistruan përveç veprës penale të armëmbajtjes pa leje patën edhe vepër tjetër penale të iniciuar, si përdorim i armës dhe kanosje.