Bashkësia Islame e Kosovës përmes një njoftimi ka thënë se muaji i bekuar i Ramazanit do të përfundojë ditën e shtunë, më 29 mars 2025, kurse dita e parë e festës së Fitër Bajramit do të jetë të dielen, më 30 mars.
Sipas njoftimit, manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku besimtarët do të mblidhen për të falur namazin e sabahut në orën 05:41.
“Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Manifestimi fillon në ora 05:41, me faljen e namazit të sabahut të cilit do ti prij, Hetem ef. Sopjani , pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Agim ef. Hyseni -anëtar i Kryesisë së BI të Kosovës . Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 06:59 minuta të cilit do t’i prijë, Vedat ef. Sahiti -kryeimami i BIK-ut. Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, BIK do të organizojë pritjen tradicionale në selinë e Kryesisë, e cila do të mbahet nga ora 09:00 deri në 12:00 të ditës së parë të Bajramit.