Kryeministri Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë me një adresim lidhur me vrasjet e fundit që tronditën vendin, ku për tri ditë u vranë katër persona.
Kurti tha se gjithë vendi është tronditur nga kjo seri e vrasjeve, teksa kërkoi nga organet e rendit që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë këto raste, shkruan Reporteri.net.
“Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet drejtësi edhe të parandalohen vrasje të tilla në të ardhmen. Vrasja është akti më i rëndë që mund ta bëjë njeriu, ajo asnjëherë s’guxon të normalizohet”, deklaroi Kurti.Ai u shprehi ngushëllime familjeve të viktimave, duke shtuar se kjo është thirrje për reflektim për secilin.
“Gjithë vendi është tronditur e lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, e të dënohet. Na duhet analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh. Në emrin tim dhe të Qeverisë u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështira teksa ritheksojmë kërkesën për angazhim maksimal të organeve të rendit dhe drejtësisë”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, rasti i fundit i vrasjes ka ndodhur mbrëmë te “4 Llullat”, ku pas të shtënave me armë zjarri janë plagosur dy persona, njëri prej të cilëve ka vdekur në QKUK.
“Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.Një vrasje tjetër ka ndodhur të hënën në Vushtrri, ku një 58-vjeçar ka vrarë një 42-vjeçare e më pas ka qëlluar edhe veten.
Vrasja tjetër ka ndodhur poashtu në Vushtrri, të dielën. Një 19-vjeçar atje ka vrarë bashkëmoshatarin e tij./Reporteri.net