Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për lidership të ri, tha të martën anëtari i kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, ka dalë e treta me 18.27%.Hoti shkroi se rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i përafërt me atë që sipas tij e kanë pritur pas katër vjet përgatitje, transmeton KosovaPress.
“Në katër vitet e fundit, lidershipi i partisë është angazhuar në ristrukturimin e partisë dhe degëve në gjithë Kosovën. Por, në jo pak raste, kjo është bërë në mënyrë selektive, jostatutore dhe pa konsideratën e nevojshme ndaj disa specifikave të brendshme të LDK-së”, shkroi Hoti në Facebook.
Sipas Hotit, lidershipi i ri është e vetmja rrugë për rikthimin e besimit në LDK.
“Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK. LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”, shtoi ai, përcjellë KosovaPress.
Ish-kryeministri i Kosovës tha se LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që “i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër”.
Hoti tha se lidershipi aktual i LDK-së duhet të mbështesë këtë ndryshim në LDK “duke i hapur rrugë ndryshimit, duke u bërë pjesë e lidershipit të ri”.