Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale në Prishtinë duke kërkuar votën për 110 kandidatët e listës së saj.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti, në fjalimin e tij ka thënë se është i gatshëm ta merr përgjegjësinë për shtetin, sikurse ka bërë LDK-ja në dekadat e kaluara, njofton Klan Kosova.
“Ne e hapëm këtë fushatë me sloganin “Shteti. Shtet.”. E bëmë këtë për t’iu rikujtuar të gjithëve se lirinë dhe demokracinë, që e gëzojmë sot, sado e brishtë, nuk guxojmë ta marrim si të mirëqenë. E vendosëm këtë slogan sepse nuk guxojmë të eksperimentojmë mbi sakrificën shekullore, rezistencën paqësore dhe ushtarake, dhe mbi amanetin e të rënëve për liri e pavarësi”.
“E bëmë këtë për të qartësuar para atyre që nxjerrin ide që dëmtojnë shtetin, se Republika e Kosovës është e përjetshme. Se Republika jonë është rezultat i përpjekjeve të brezave të tërë për liri e pavarësi. Sigurisht se në rrugëtimin tonë kemi shumë sfida, të cilat po i tejkalojmë me kokën lartë, me shumë punë e përkushtim, me respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu e ndërtojmë kohezionin e nevojshëm shoqëror për të ardhmen evropiane dhe fuqizimin e Republikës – shtetit tonë”.
“Jemi në fillim të rrugës si shtet i pavarur, kemi bërë dhe, padyshim, do të bëjmë gabime në ecje. Por, ta kenë të qartë të gjithë se ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, asnjëherë nuk heqim dorë nga ëndrra e të parëve, nga ideali për Kosovën demokratike, për Kosovën evropiane, ku mbizotëron toleranca dhe fjala e lirë, ku vlerësohet puna e përkushtimi ndaj familjes e ndaj shtetit, ku respektohet integriteti dhe dinjiteti i secilit”.
Hoti ka thënë se i respektojnë vendimet e drejtësisë edhe atëherë kur nuk i shkojnë përshtati.
“Sepse shteti ndërtohet duke e respektuar atë, duke punuar për të, duke e vënë interesin e shtetit mbi të gjitha.Ne jemi të përkushtuar për ta bërë më të mirën për shtetin, dhe ju garantoj se do ta bëjmë. Të mos keni asnjë dyshim. E kemi provuar historikisht tash e tri dekada. Por, ne asgjë nuk e marrim si të mirëqenë. Prandaj, asnjëherë nuk jemi ndalur së punuari për shtetin shtet”.
Hoti ka bërë thirrje që nga lista prej 110 kandidatëve, qytetarët të zgjedhin pesë prej tyre, të cilët mund të përfaqësojnë interesat e tyre.
“Vetëm në listën tonë i gjeni kandidatët më të përgatitur për drejtuar shtetin. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shëndeti i qytetarëve është primar, prandaj edhe e kemi trajtuar dhe do ta trajtojmë me prioritet menaxhimin e pandemisë”.
“Vetëm ne kemi prezantuar program të plotë në këtë fushatë zgjedhore, program konkret për zhvillim ekonomik përmes fuqizimit të sektorit privat. Ne do të lehtësojmë qasjen në financa, do të forcojmë fondin për garantimin e kredive, do t’i subvencionojmë normat e interesit për bujq dhe do të rrisim grantet për gratë dhe të rinjtë.Do të zvogëlojmë licencat për biznese, do të bëjmë fiskalizimin digjital dhe do të liberalizojmë tregun e energjisë”.
Hoti ka thënë se do të bëjnë ndryshime në sistemin e drejtësisë përmes Vettingut derisa shtoi se për shtatë muaj qeverisje e hoqi nga diskursi fjalën korrupsion.
Hoti përsëriti se e ka kthyer Kosovën në krye të agjendës amerikane për Ballkanin.
“Letra e Presidentit Biden, e rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, si shtet sovran. Kjo nuk është arrihet me retorikë boshe dhe letra të mbushur me parulla ndaj miqve tanë perëndimor, siç bënin këta”.
“Kjo arrihet me veprime vizionare, me veprime konkrete shtet formuese. Kjo letër hodhi poshtë teoritë, që ishin dhe mbeten teori të marra, se në Shtëpinë e Bardhë po planifikohej copëtimi i Kosovës. Kjo letër ua bëri të qartë të gjithëve, që mohojnë shtetin e Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës, se Republika e Kosovës është e përhershme, ua bëri të qartë të gjithëve se shteti i Kosovës është shtet në kuptimin e plotë të fjalës”.
“Raportet me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare i ngritëm në nivel të lartë, përmes komunikimit direkt me udhëheqësit e vendeve anëtare, me Presidentin Francez Macron, Kancelaren Gjermane Merkel, Kryeministrin e Italisë Conte, Kancelarin Austriak Kurtz, Sekretarin e Selisë së Shenjtë – Kardinalin Parolin, dhe me të gjithë udhëheqësit të Bashkimit Evropian”.
“Ne zbatuam në praktikë politikat për fqinjësi të mirë dhe thellim të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përmes iniciativave rajonale dhe më gjerë”.
“Kur kundërshtarët tanë propagandonin që nuk do të ndodhte, nga Izraeli u formalizua njohja e shtetit të Kosovës dhe u vendosën marrëdhëniet diplomatike”.
Në fund Hoti tha se me LDK-në në qeverisje, Kosovai ruan miqtë në të dy anët e atlantikut.
“Prandaj, ju ftoj të na jepni besimin e juaj më 14 shkurt. Duke votuar gratë dhe burrat e listës tonë, ju votoni për zërin tuaj të vërtetë, për ata që bashkë me juve ëndërruan, punuan dhe e ndërtuan Kosovën, shtet të pavarur e sovran, shtet demokratik”.