Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se votat nga diaspora do të jenë përcaktuese për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ajo u shpreh e vendosur se Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë qeverinë, derisa tha se partnerët e koalicionit tashmë janë Guxo dhe Alternativa.
Numërimi i votave nga diaspora dhe atyre me kusht do të numërohen sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nga KQZ-ja.
“Ne jemi fitues i qartë i këtyre zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e qartë e këtyre zgjedhjeve. Neve na takon obligimi për formimin e institucioneve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Siç e dini, Lëvizja Vetëvendosje i ka partnerët e koalicionit të cilët janë Guxo dhe Alternativa. Ne duhet të presim edhe pak… Votat e diasporës janë shumë të rëndësishme dhe janë përcaktuese që qeveria jonë të formohet dhe të drejtohet nga kryeministri Kurti. Uroj që ky proces mos të zgjasë më tepër”, tha Haxhiu.
Haxhiu, e cila është edhe ministre në detyrë e Drejtësisë, në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh më e rezervuar për një koalicion më të gjerë që do të përfshinte edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ajo tha se ky proces zhvillohet vitin e ardhshëm dhe se tani fokusi është vetëm te formimi i qeverisë.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, shkove larg pasi si proces do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Prandaj le të fokusohemi njëherë te qeveria”, shtoi Haxhiu.
Duke folur për mbylljen e katër objekteve të qendrës për punë sociale serbe në veri, ajo tha se veprimet e institucioneve të sigurisë nuk janë kundër partnerëve të Kosovës.
Haxhiu shtoi se aty janë kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor.
“Veprimet e institucioneve të sigurisë nuk janë kundër partnerëve tanë apo kundër qytetarëve në Republikën e Kosovës. Përkundrazi, këto qendra janë mbyllur nga Policia e Kosovës sepse dyshohet që përmes tyre është ndërhyrë apo është bërë presion për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke kushtëzuar votën e qytetarëve të komunitetit serb. Unë besoj se e keni parë se vetë shefja e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë ka deklaruar se Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor… Këto qendra dyshohet se kanë qenë instrumenti i ndërhyrjes prandaj edhe ka pasur reagim ligjor dhe të duhur institucional. Ne kemi përgjegjësi ndaj ligjit dhe Kushtetutës që të sigurojmë integritetin e procesit zgjedhor”, deklaroi Haxhiu, raporton KP.
Në anën tjetër, Haxhiu u shpreh më e rezervuar të komentojë arrestin shtëpiak të ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Dama, i cili dyshohet për “sulm fizik” dhe “kanosje të dy personave”.
“S’kemi informacione sesi ka ndodhur rasti. Unë nuk kam pasur komunikim me ministrin Damka dhe nuk mund të jap më shumë informacione pasi si kam ato. Presim vendimin e institucioneve pa dashur të paragjykojmë fajësinë”, tha Haxhiu.
Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.