Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur sot në lidhje me ftesën e Prokurorisë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Haxhiut, kryeministri asnjëherë nuk ka refuzuar të japë dëshmi, por ai ka ftuar Prokurorinë që të vijë në zyrë, madje sipas ministres, Kurti ka caktuar edhe data për këtë, transmeton Zeri.info.
“E kam thënë edhe më herët, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar kërkesën të japë dëshminë e tij ndaj Prokurorisë, Kurti i ka ftuar prokurorët që të vinë në zyrat e tij në Kryeministri që të japë dëshminë e tij, por që Prokuroria nuk duket që është e interesuar për ta marrë dëshminë e Kurtit, sepse ka pasur disa data që ka propozuar Kurti dhe nuk ka ardhur të marrë dëshminë e tij”, tha Haxhiu në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ajo tha se nëse Prokuroria Speciale i është drejtuar gjykatës me kërkesë që Kurti po refuzon dëshminë, ka gënjyer.
“Nuk e di se si Prokuroria Speciale i është drejtuar Gjykatës, nëse ka thënë se Kurti po refuzon të japë dëshmi, kjo është gënjeshtër”, tha Haxhiu, duke shtuar se sistemi i drejtësisë nuk ka qenë asnjëherë më politik se tani.