Saktësisht 3269 pako me vota nga diaspora janë refuzuar në procesin e deritashëm të vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ky numër ka dalë nga vlerësimi i 54 mijë e 409 pakove. 51 mijë e 140 janë aprovuar, ndërsa për vlerësim janë edhe 14 mijë e 306 pako.
“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për KOHËN.
Pos 84 mijë e 600 shtetasve të regjistruar për votim me postë, 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, e prej tyre votuan 15 mijë e 532 mijë persona.
Numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota.
Elezi ka bërë të ditur se numërimi i këtyre votave do të nisë gjatë javës së ardhshme.
Deri tash janë procesuar në uebfaqen e KQZ-së 99.96 për qind e vendvotimeve në Kosovë. Nga numërimi i deritashëm, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.9 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 22.03 për qind, Lidhja Demokratike me 17.64 i treti dhe koalicioni AAK-Nisma i katërti me 7.46 për qind./KOHA/