Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, për veprën penale të spiunazhit.“Prishtinë, 20 shkurt 2025 –Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve B. Sh. dhe M. Q.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.Sipas njoftimit të prokurorisë, të akuzuarit secili veç e veç me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale të spiunazhit.
Ndërsa për Muharrem Qerimin prokuroria e ka akuzuar edhe për armëmbajtje.Prokuroria me aktakuzë ka kërkuar që të ju vazhdohet masa e paraburgimit të akuzuarve deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.Dy persona ishin arrestuar në Ferizaj më 04.06.2024 nën dyshimin për spiunazh më 05.06.2024.
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme në Ferizaj.I dyshuari Bedri Shabani ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv, kurse Muharrem Qerimi, sipas burimeve të KALLXO.com ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011.Dy të dyshuarve shqiptarë të arrestuar për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, u janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.
Avokati Besnik Berisha që përfaqësonte në seancën dëgjimore të dyshuarin Bedri Shabani kishte konfirmuar se klienti i tij është dëshmitar i propozuar në Hagë ku janë duke u gjykuar ish drejtuesit dhe luftëtarët e UÇK-ës.Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:
– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.
– Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.– Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjinKosova e ka Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë qëllim i të cilit është “themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione”.