Home LAJME Fermerë, është koha për spërkatjen e pemëve kjo ndihmon në parandalimin e shumë sëmundjeve

Fermerë, është koha për spërkatjen e pemëve kjo ndihmon në parandalimin e shumë sëmundjeve

0
Fermerë, është koha për spërkatjen e pemëve kjo ndihmon në parandalimin e shumë sëmundjeve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës ju informon se tani është periudha ideale për kryerjen e spërkatjes dhe gëlqerosjes së pemëve, raporton TV Prizreni.

Këto masa janë thelbësore për mbrojtjen e pemishteve nga sëmundjet dhe dëmtuesit, duke siguruar një prodhim më të shëndetshëm dhe cilësor për sezonin e ardhshëm.
Më poshtë gjeni informacione të detajuara mbi rëndësinë dhe mënyrën e duhur të kryerjes së këtyre trajtimeve.

Të nderuar fermerë,
Spërkatja dimërore e pemëve është një masë shumë e rëndësishme agroteknike me anë të së cilës eliminohet një numër i madh i shkaktarëve të sëmundjeve dhe dëmtuesve. Spërkatja dimërore eliminon dëmtuesit nga viti paraprak dhe është masa më e rëndësishme që ndikon në zvogëlimin e intensitetit të dëmtuesve dhe sëmundjeve të ndryshme.

Para se të fillohet me spërkatje, më parë është mirë të kryhet krasitja e pemëve, të eliminohen degët e thyera dhe të infektuara, të eliminohen frutat e mbetur, etj.
Me spërkatje dimërore bëhet eliminimi dhe zvogëlimi i infeksioneve, nga shkaktarë të ndryshëm të sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Spërkatja duhet të kryhet në mot të mirë, pa erë dhe në temperaturë mbi 10°C. Të gjitha pemët frutore janë të ndjeshme ndaj insekteve dhe sëmundjeve që ndikojnë në cilësinë e frutave dhe shëndetin e pemëve. Periudha e fjetjes-qetësisë dimërore, e cila fillon pas rënies së gjetheve është koha ideale për të ndërmarrë masa mbrojtëse.
Për këtë arsye, është thelbësore që pemët të trajtohen me kujdes dhe të mbulohen nga të gjitha anët me sasi të mjaftueshme të preparatit, duke u siguruar që tretësira të depërtojë në të gjitha degëzat.
Spërkatja dimërore ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zakonshme si përdredhja e gjetheve te pjeshka, deformimi i frutave te kumbulla, kroma e mollës, hiri, djegia bakteriale e mollës dhe bërthamoreve, monilia dhe sëmundje të tjera që ndikojnë në cilësinë dhe prodhimin e frutave. Njëkohësisht, ky trajtim eliminon edhe një numër të madh insektesh të dëmshme si morrat e gjethit, gjethepërgjakësin e mollës, lulëngrënësin dhe merimangën e kuqe, të cilët mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në pemishte.

Për ata fermerë që ende nuk e kanë kryer spërkatjen dimërore, rekomandohet përdorimi i preparateve specifike për këtë trajtim. Një nga produktet kryesore është vaji i kuq, i cili përbëhet nga vaj mineral me shtesë bakri dhe siguron një mbrojtje efektive kundër insekteve sëmundjeve dhe marimangave. Gjatë aplikimit të tij, është e rëndësishme të sigurohet cilësi e lartë e trajtimit, duke përgatitur tretësirën me kujdes dhe duke e aplikuar në mënyrë të njëtrajtshme. Një tjetër opsion është përdorimi i insekticideve dimërore, si p.sh. Galmini, i cili, për një efekt më të mirë, mund të kombinohet me preparate bakri.
Duke marrë këto masa në kohën e duhur, pemishtet tuaja do të jenë më të mbrojtura dhe do të përgatisin një bazë të shëndetshme për sezonin e ardhshëm të prodhimit.
Gëlqerosja, cila është rëndësia dhe çfarë shërben gëlqerosja e pemëve?

Gëlqerosja e pemëve ndihmon në vonimin e lëngjeve dhe nisjes së vegjetacionit të hershëm, duke parandaluar kështu dëmet nga ngricat e mundshme në pranverë. Gjithashtu, ajo mund të mbrojë pemët nga insektet dhe sëmundjet që zhvillohen gjatë dimrit, si rezultat i vezëve të parazitëve të vendosura në lëvoren e tyre. Për më tepër, gëlqerosja ka një efekt mbrojtës edhe ndaj brejtësve dhe kafshëve të tjera që mund të dëmtojnë pemët. Një numër i madh i insekteve dhe patogjenëve dimërojnë pikërisht në lëvoren e pemëve, prandaj lyerja me gëlqere ndihmon në shkatërrimin e tyre ose e pamundëson daljen e tyre në pranverë.

Për ata që ende nuk i kanë gëlqerosur pemët dhe dëshirojnë ta bëjnë, më poshtë është një recetë e thjeshtë:
Përgatitja
• 5 kg gëlqere e shuar
• 500 gr kripë
• 250 gr squfur për tretje
• 15-20 litra ujë
Kjo sasi përzihet mirë derisa të krijohet një masë e trashë, e përshtatshme për aplikim me furça mbi lëvoren e pemëve. Ky trajtim do të ndihmojë në mbrojtjen e pemëve, duke siguruar një fillim të shëndetshëm të sezonit të ri vegjetativ.

Për çdo këshillë apo sqarim lidhur me spërkatjen dimërore, si dhe këshilla të tjera mbi bujqësinë dhe zhvillimin rural, mund të drejtoheni te këshilltarët e QIKK (Qendrat Këshilluese Informative Komunale). Gjithashtu, në QIKK mund të furnizoheni me materiale të shtypura që mund t’ju ndihmojnë në përmbushjen e nevojave tuaja bujqësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here