Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, i ka komentuar rezultatet aktuale zgjedhore, duke thënë se është e rëndësishme për Kosovën që Kuvendi dhe qeveria e re të mund të formohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
”Në mënyrë që Kosova t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj dhe të angazhohet plotësisht në arritjen e përparimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kosova është një partner i ngushtë dhe i çmuar i Britanisë së Madhe dhe mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë nën qeverinë e re”, tha ai për Klan Kosova.
Hargreaves, u shpreh i kënaqur që pa shumë qytetarë të Kosovës në ditën e zgjedhjeve, duke ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
“Jemi të lumtur që kemi qenë në gjendje të vendosim një ekip të fortë vëzhguesish bashkë me Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së. E përgëzoj Kosovën për një proces të qetë dhe paqësor zgjedhor, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Për një vend kaq të ri, është e dukshme fuqia dhe funksionimi i institucioneve të pavarura të Kosovës. Procesi i mbetur drejt certifikimit zyrtar të rezultateve tani duhet të vazhdojë pa probleme dhe pa vonesa”, u shpreh tutje ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves.