Miroslav Lajçak ka përfunduar zyrtarisht mandatin, pas gati pesë vjetësh në krye të dialogut Kosovë-Serbi si lehtësues i Bashkimit Evropian, duke ia dorëzuar detyrën pasardhësit të tij, diplomatit Peter Sorensen.
Lajçaku e përshkroi periudhën si emisar, si mision sfidues, por të shpërblyer, teksa theksoi rëndësinë e arritjeve në këtë proces, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit në mars të vitit të kaluar.
“Dhe kaq ishte. Pas 4 vjetësh e 10 muajsh si lehtësues i dialogut i Bashkimit Evropian, zyrtarisht po ia dorëzoj detyrën pasardhësit tim, Peter Sorensen. Ka qenë mision sfidues, por i shpërblyer, dhe si Kosova ashtu edhe Serbia mund të jenë krenare për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Lajçak në një postim në platformën “X”.