Fushata zgjedhore në Kosovë është një garë milionëshe. Ndonëse partitë politike janë të obliguara t’i raportojnë shpenzimet, vëzhguesit e zgjedhjeve ngrenë shqetësime për transparencën e donacioneve që ato marrin.Partitë politike në Kosovë kanë të drejtë të shpenzojnë mbi dy milionë euro në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar.
Kështu është e përcaktuar me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar.Rregullorja specifikon se në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale dhe për kryetarë të komunave, kufizimi i shpenzimeve do të jetë në jo më pak se një euro për votues.
Në zgjedhjet e mëparshme ka qenë 0.50 centë për votues.Për zgjedhjet e 9 shkurtit, numri i votueseve të regjistruar është 2.075.868.
Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht qysh më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën kur të hapen qendrat e votimit.Me fillimin e saj, partitë në garë kanë nisur edhe zyrtarisht shpenzimin e parave.
Shpenzimet përfshijnë para për marketingun politik në televizione, rrjete sociale, shërbime të teknologjisë së informacionit, udhëtime, tubime me kandidatë, karburante, punësim të stafit të nevojshëm për fushatë, logjistikë, ndriçim dhe sistem të zërimit për salla.Përveç këtyre, para nevojiten edhe për prodhimin e materialeve promovuese, si: kartëvizita, bluza, kapele, broshura, flamuj partiakë, video-xhirime profesionale etj., thotë Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili monitoron fushatën zgjedhore.
Por, publike deri më tash janë vetëm shpenzimet e bëra në rrjetet sociale.Kompania Meta, e cila ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, publikon të dhëna për reklamat apo mesazhet e sponsorizuara politike.
Duke analizuar një periudhë prej 30 ditësh, del se shpenzimet për fushatë në Facebook, disa garues i kanë nisur para fillimit zyrtar të saj.