Tre të arrestuarit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë nën dyshimet për marrje ryshfeti janë inspektorë ATK-së.Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zyrtari për komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi.
Prokuroria Themelore në Gjakovë për KALLXO.com sot më 20.01.2025 ka njoftuar lidhur me aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar nën dyshime për marrje ryshfeti.Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore Gjakovë, pas pranimit të informatës se tre (3) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”Marrja e Ryshfetit’’ neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarr veprime hetimore, duke zbatuar edhe masat të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.
Kurse me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës, janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.“Ndërsa më dt.20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore Gjakovë, është kryer bastisje në tri (3) lokacion të ndryshme dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre (3) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ”Marrja e Ryshfetit’’ neni 421 i KPRK-së”- thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.