Divizioni i Policimit në Bashkësi sot, në kuadër të aktiviteteve edukative dhe informuese, ka pritur në një vizitë disa nxënës të ciklit të mesëm të ulët, të cilët patën rastin të njihen për së afërmi me disa nga punët e Policisë së Kosovës.
Në njoftimin e policisë thuhet se qëllimi i realizimit të kësaj vizite ishte që nxënësit të mësojnë për rolin e policëve në ruajtjen e rendit dhe ofrimin e sigurisë, po ashtu të njoftohen edhe me procedurat e punës dhe detyrat e ndryshme që kryhen nga punonjësit e PK-së, si dhe të shohin nga afër disa nga pajisjet të cilat përdoren gjatë punës rutinore, njofton policia.
“Gjatë kësaj vizite zyrtarët policor shfrytëzuan rastin që përveç pyetjeve që ua parashtronin nxënësit, të njëjtëve t’u shpjegohet edhe se si ata mund të komunikojnë me Policinë e Kosovës në raste emergjente dhe se si mund të mbrohen nga rreziqet potenciale. Në shenjë falënderimi për vizitën e realizuar Policia e Kosovës në fund u shpërndau fëmijëve disa dhurata modeste.”, shkruan në fund të njoftimit të policisë, raporton TV Prizreni.