Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nxjerrë vendimet e para për shkelje të ligjit gjatë tubimeve elektorale. Shkaku i përmbajtjeve akuzuese dhe gjuhës së përdorur në fushatë, LDK-ja është gjobitur me 20 mijë euro, AAK-ja me 12 mijë euro dhe LVV-ja me 3 mijë euro
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur me 35 mijë euro në total tri subjekte politike, për shkak të shkeljeve të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.
Me shumën më të lartë është gjobitur LDK-ja. Ajo do të detyrohet të paguajë 20 mijë euro, meqë kandidatja për deputete, Xheneta Syka, ka shpërndarë në Facebook një video që e krahason me Adolf Hitlerin të nominuarin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurti.
LDK-ja e ka kundërshtuar gjobën me arsyen se fotografia e Vetëvendosjes në ankesën adresuar në PZAP nuk është shpërndarë nga kandidatja Syka, por nga dikush tjetër.
Megjithëkëtë, PZAP-ja ka konstatuar se shkelja ka ndodhur dhe se kandidatja për deputete e LDK-së e ka fshirë postimin.
“Mbështetësja e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës-LDK, me qëllim të etiketimit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje dhe promovimit të subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nxitur urrejtje ndaj subjektit politik LVV, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ka publikuar përkatësisht shpërndarë në faqen e saj të rrjetit social video, ku në të është bërë krahasim i personalitetit të kryetarit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me figurën e Adolf Hitlerit”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së.
Përpos kundër LDK-së, LVV-ja në PZAP është ankuar edhe për koalicionin rreth AAK-së, nën arsyetimin se i nominuari i këtij subjekti politik për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të pabaza dhe të pavërtetuara ndaj Kurtit, kur e ka bërë edhe këtë deklaratë: “Duhet ta heqim mashtruesin se duam siguri dhe anëtarësim të plotë në NATO dhe duam anëtarësim në planin nacional, duam miqësi me Amerikën, për atë duam ta heqim, mashtruesin”.
Ankesa është aprovuar dhe AAK-ja është gjobitur me 12 mijë euro.
“Për panelin përdorimi i një gjuhe të tillë është në kundërshtim me nenin 34, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin përcaktohet: Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: … përdorimi i gjuhës, në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve, ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdolloj materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
E, pas ankesës së LDK-së, me 3 mijë euro u gjobit edhe LVV-ja, për këtë deklaratë të Kurtit në tubimin elektoral në Pejë: “Nuk ka se si të mos çuditeni kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit. Por këtu, qysh e dini edhe ju vetë, LDK-yhi edhe PDK-yhi janë bashkë në koalicion”.
Sipas vendimit të PZAP-së, Kurti përdori terme pezhorative.
“Paneli, pas shqyrtimit të tri videove të ofruara si provë materiale e të cilat janë publikuar në rrjete sociale, prej nga rrjedh se kryetari i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje – kandidat për kryeministër Albin Kurti, me qëllim të etiketimit të subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës dhe promovimit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së.
Vendimet janë të apelueshme në Gjykatën Supreme.
LDK-ja, AAK-ja dhe LVV-ja janë obliguar nga PZAP-ja që pagesat e gjobave t’i kryejnë brenda afatit prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e vendimit.