Në kuadër të shpalljes së vitit 2025 si Vit i Gruas nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur krenarinë për 358 gra dhe vajza ushtarake që shërbejnë në FSK, përfshirë 1 Gjeneralmajore, 1 Kolonele, 3 Nënkolonele, 3 majore, 3 kapitene, 13 togere, 9 nëntogere, 226 nënoficere dhe 90 ushtare.
“Forca jonë e Sigurisë i ka 358 gra e vajza ushtarake. Ato shërbejnë në të gjitha armët me profesionalizëm dhe me patriotizëm të lartë. Ato janë krenaria e Forcës sonë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka ftuar vajzat që të aplikojnë për konkurset e ardhshme për kadete dhe ka theksuar angazhimin për të rritur numrin e grave ushtarake në të ardhmen.
“Do të punojmë së bashku që ta arrijmë qëllimin për të paktën 1000 ushtarake,” ka përfunduar Maqedonci.