Të gjithë familjarët që konsumojnë deri në 700 kw/orë do të paguajnë 1 lek më pak deri më 31 dhjetor 2025.
Vendimi i miratuar nga Bordi i Entit Rregullator të Energjisë nis zbatimin nga data 1 shkurt 2025.
Ulja e çmimit do të prekë vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, duke përjashtuar kategoritë e tjera si bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore. Ndryshime nuk do të ketë as për furrat e bukës.
Sipas vendimit, për konsumimin e mbi 700 kw/orë vijon tarifa 9.5 lekë.
Aktualisht çmimi i energjisë për abonentët familjarë është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë.
“U deshën vite, por ne ia dolëm dhe t’ju themi në sy ‘ata që shpenzojnë deri në fashën 700 KW do të kenë një ulje të energjisë elektrike’. Në vitin 2019. Konsumi më i lartë i vitit ishte 21 milionë kilovat. Por natën e vitit të ri 2019 ka qenë konsumi më i lartë. Sot 22 milionë kw/orë është normaliteti. Pikun nuk e kemi më për vitin e ri, por e kemi gjatë verës dhe periudhës dhjetor-janar. Shqipëria është një vend tjetër, sepse rritja e konsumit të energjisë tregon rritje të ekonomisë rritje të kapaciteteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë. Edhe ky është një fakt që na ndihmon të marrim këtë hap, të uljes, pasi kemi më shumë konsum dhe të ardhura”, tha Rama më 8 janar./Tch