Pak ditë para së të nisë fushata zgjedhore kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk sheh mundësi për koalicione paszgjedhore. Ai përjashtoi mundësinë që të bëjë koalicion me PDK-në, AAK-në e LDK-në, duke i quajtur ato të pareformuara.
Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se mu për këtë arsye i kanë bërë koalicionet parazgjedhore me partinë Guxo dhe atë Alternativa.
Sipas Kurtit, me këto dy subjekte politike kanë bashkëqeverisur katër vjet mandat dhe kanë përvoja të mira me njëra-tjetrën.
Për AAK-në, LDK-në dhe PDK–në, Kurti tha se nuk kanë parë që janë reformuar këto katër vjet dhe se muajt e fundit e kanë sulmuar qeverisjen e tij.
“Kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë, ndaj qeverisjes së mirë dhe demokratike nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm.” – tha Kurti në një intervistë për KosovaPress, më 06.01.2025.
Duke synuar 500 mijë vota Kurti tha se presin që të tejkalojnë rezultatin e vitit 2021, për shkak se para katër vjetëve i kishin grumbulluar 438 mijë vota.
“Unë besoj që janë pretendime reale. Ma merr mendja që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë besuar që do të jemi mbi 50% më 14 shkurt 2021, që ju duket joreal që ne të kemi 500 mijë vota në vitin 2025.” – shtoi ai.
Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118.
KQZ-ja e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Sipas Vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.
Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.