SHBA-ja ka shprehur shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se është thellësisht e shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së për t’i mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe.
“Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës për KOHËN.
Ambasada e SHBA-së ka thënë se është shumë e shqetësuar nga “përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin KQZ-së të certifikimit të kandidatëve”.
“Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.”, thuhet nga Ambasada.
Ambasada e SHBA-së ka thënë se roli i KQZ-së është ta mbikëqyrë zhvillimin e zgjedhjeve e të sigurojë që ligji të zbatohet në mënyrë fer dhe të paanshme.
“Përgjegjësitë e tij duhet të mbesin rreptësisht vetëm në procedurat ligjore, e jo në shqyrtimet politike.”.
SHBA-ja u ka bërë thirrje partive politike, që kanë probleme me proceset e KQZ-së, të apelojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është thelbësore që votuesit e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”, thuhet në reagim.
KQZ-ja në mbledhjen e të hënës ka vendosur të mos e certifikojë Listën Serbe.
Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.