Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka vazhduar betejën me kryetarin e ish-partisë së tij, Isa Mustafën. Në një reagim në Facebook, kandidati për deputet nga lista VV-“Vjosa”, ka thënë se në zgjedhjet e 14 shkurtit “votuesi i LDK-së ka shans ta dërgojë në pension Isa Mustafën”.Një ditë pasi Mustafa fyeu kundërshtarët dhe ata që kritikuan partinë e tij në studio televizive, Avdyli i është kundërvënë Mustafës duke e quajtur “politikan të papërgjegjshëm, intrigant, shpifës, manipulator, tinëazar, e jolegjitim”.
“Ku është Isa Mustafa. Ai tani rri i qetë diku, pa qarë kokën, derisa të tjerë kërkojnë votën për të. Ai s’është në lista për deputetë, por më 15 shkurt ai dhe një grup pa legjitimitet, ka rrezik prapë ta marrin në dorë fatin e një populli të tërë, siç e morën në vitin 2019 duke torturuar një opinion të tërë me negociata pa fund për postin për President për vete. Prandaj më 14 shkurt duhet të dalim #KREJTdheDREJT në zgjedhje për ta shpëtuar Kosovën nga ky politikan që fatin e vendit e rrezikon për interesa puro personale. Më 14 shkurt pas 40 vite karrierë votuesi i LDK-së ka shans me votë të dërgojë z. Mustafa në pension, duke mos lënë Kosovën e ngulfatur nga ai. S’ka dyshim që në mes 110 kandidatëve në LDK njoh plot djem e vajza të mira që meritojnë votën por me 15 shkurt ata që mund të zgjidhen s’vendosin asgjë as për koalicionet, as politika e mëdha për vendin. Vendos Isa me një grup të panjohur, krejt bazuar në interesa të tyre grupore”, ka shkruar Avdyli.
“Prandaj VOTA masive për ndryshim, krijon premisa për shpëtimin e LDK-së, por mbi të gjitha Kosovës nga politikanë të papërgjegjshëm, intrigant, shpifës manipulator, tinëzar, e jolegjitim si Isa Mustafa. Vota masive #KrejtdheDrejt127 është parakusht për QEVERI STABILE reformuese e zhvillimore, para një destabiliteti institucionale e politik, për teke të një njeriu që karrierën është dashtë ta mbyllë në vitin 1989 kur populli Kosovës shkeu librezat e Lidhjes komuniste e jo në vitin 2021 kur Kosova ballafaqohet me shumë sfida. Kosova si ka borxh atij as askujt, po ai i ka borxh shumë qytetarëve brenda dhe jashtë i cili gëzoi tërë privilegjet nga vitet 80, pastaj në vitet 90 duke menaxhuar 3%, duke mbajt tërë pozitat e duke humbur të tëra në zgjedhje. Ai ka përgjegjësi direkte që mbajti në pushtet disa parti tjera që ishin përgjegjëse për keqqeverisje e zhvatje”, ka vazhduar Avdyli teksa ka shtuar që populli “ka kohë edhe pesë ditë për të vendosur për një Kuvend e Qeveri stabile që s’varet nga ambiciet e sëmura nga politikanë të së kaluarës”.