Bashkimi e ka fituar derbin e tensionuar ndaj Sigal Prishtinës të shtunën pasdite.
Prizrenasit në xhiron e 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll, fituan me dhjetë pikë dallim ndaj prishtinasve, 83:73.
Bashkimi kishte një fitore e tri disfata para këtij ballafaqimi, por shfaqi më shumë në ndeshjen që u zhvillua në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë, në praninë e pak shikuesve.
Për Sigal Prishtinën ishte disfata e tretë rresht.
Fillimisht ishte mposhtur në kryeqytet nga Trepça, e më pas në palestrën “Karagaçi” humbi edhe nga Peja.
Ndryshe nga Bashkimi që u mposht në Ligën Unike në mesjavë, Sigal Prishtina kishte fituar.
Bashkimi i fitoi çerekun e parë dhe të tretë, ndërsa Sigal Prishtina e fitoi periudhën e dytë e të fundit, por me rezultat më të ngushtë.
Bashkimi në pushimin e gjatë shkoi me epërsi prej shtatë pikëve, 45:38, pasi çerekun e parë e fitoi 32:21, ndërsa e humbi të dytin me 17:13.
Me rezultatin 24:19 u mbyll periudha e tretë e lojës për mysafirët, kurse vendësit fituan 16:14, por jo mjaftueshëm për ta shmangur disfatën me dhjetë pikë dallim.
Në fundin e ndeshjes pati edhe përplasje mes Daniel Lekndreajt të Prishtinës dhe Jayveous Mckinnis të Bashkimit. Situata u qetësua më pas nga lojtarët e të dyja ekipeve.
Mack Smith ishte koshashënuesi më i mirë te Bashkimi me 18 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime, por statistika më të mira pati McKinnis, që kishte 17 pikë e nëntë kërcime.
Valon Bunjaku kontribuoi në fitore me 13 pikë, katër kërcime e pesë asistime.
Te Sigal Prishtina lojë të mirë pati Henrik Shirko me 12 pikë, shtatë kërcime e një asistim.
Pas 13 ndeshjeve të luajtura, Bashkimi është i dyti me nëntë fitore e katër humbje, e me 22 pikë në total.
Katër pikë më pak i ka Sigal Prishtina, që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Sigal Prishtina ka gjashtë fitore e po aq disfata.