Fundjava në Kosovë pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të shtunën nuk përjashtohen reshjet e borës, ndërsa e diela parashikohet të jetë kryesisht me vranësira, intervale me diell dhe temperatura të ulëta, të shoqëruara me ngrica dhe mjegull në disa zona.
Kjo situatë meteorologjike është rezultat i masave të ajrit me presion të ulët atmosferik, të cilat vijnë nga pjesa perëndimore e kontinentit, transmeton Klankosova.tv.
“E shtunë – Moti parashikohet kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme bore. Temperaturat minimale nga -2 deri në 0 gradë Celsius, e ato maksimale nga 1 deri në 2 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-8 m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
“E diel – Moti do të jetë i vranët me intervale me diell. Temperaturat minimale nga -5 deri në -2°C; maksimale nga 1 deri në 4°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-3 m/s”.
“Kujdesuni për veshjen e përshtatshme dhe përgatituni për kushtet e ngricave dhe mjegullës, veçanërisht gjatë mëngjesit”, apelon ndër të tjera IHMK-ja.