Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Kosova duhet ta ngrijë dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me të ta synojë përmes dialogut bilateral më Bashkimin Evropian.
“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftofi siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut biletaral me BE-në, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me BE-në”, ka theksuar Rama në fjalimin e tij para deputetëve në seance e përbashkët të kuvendeve Kosovë-Shqipëri.
Ai ka folur për rrugën e të dy vendeve drejt integrimit në BE.
“20 vjet më parë, presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot duke na kujtuar, citoj ‘objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë, janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-në’, e themi me bindje të plotë që sot shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës dhe botës dhe kanë shansin të hynë në familjen evropiane”, ka theksuar Rama.
Por sipas Ramës do të ishte më mirë që këtë rrugëtim Kosova dhe Shqipëria ta bënin krah për krah me njëra-tjetrën.
“Ndërkohë që Shqipëria ecën tanimë me hapa të shpejt në rrugëtimin e saj, për tu bashkuar me Evropën, paramendojeni se sa krenar do të bëheshin të gjithë shqiptarët, se çfarë vlere me të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo ku shqiptarët jetojnë sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovës, sikur edhe Kosova të shkëlqente ndërkombëtarisht … sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit”.