Xhiro e 17-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll do të vijojë me dy ndeshje tejet interesante.
Kampioni në fuqi, Ballkani do ta mirëpresë në Suharekë skuadrën e Llapit.
Suharekasit janë pa fitore në tre ndeshjet e fundit në Superligë (2 barazime, 1 humbje) si dhe u eliminuan nga Kupa e Kosovës nga Rilindja përmes penalltive.
“Portokallinjtë” pozicionohen në vend të 3-të aktualisht me 27 pikë, dy më pak se vendi i dytë Malisheva, e plot 10 më pak se lideri Drita.
Llapjanët ndërkohë kanë harruar kur kanë shijuar fitoren në kampionat. Një e tillë e fundit erdhi më 27 shtator në triumfin 3-0 ndaj Suharekës.
Që atëherë, ata janë në një ecuri prej 9 ndeshjeve pa fitore në Superligë (5 humbje, 4 barazime), ku tashmë ndodhen në zonën e barazhit – e ranguar në pozitën e 8-të me 17 pikë, shkruan Sinjali Sporti.
Dy skuadrat tashmë kanë publikuar formacionet zyrtare.