Policia e Kosovës është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve andaj apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës TikTok, e cila kohët e fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve, kështu thuhet në njoftimin e policisë në Facebook, raporton TV Prizreni.
Tutje, policia bën të ditur se kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme.
Policia e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e prindërve dhe komunitetit për të ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët për rreziqet që mund të sjellë angazhimi i pjesëmarrjes në këto sfida.
“Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme. Policia e Kosovës është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, dhe i bën thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative.Super heronjtë nuk janë të vërtet kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën.”, shkruan tutje policia e Kosovës, raporton TV Prizreni.