Home LAJME Qindra miliona euro për investime kapitale mbeten në portofol

Qindra miliona euro për investime kapitale mbeten në portofol

0
Qindra miliona euro për investime kapitale mbeten në portofol

Rruga Komoran – Drenas – Skënderaj, një qendër e mjekësisë familjare në Drenas, një çerdhe në komunën e Malishevës, një fushë sporti po në këtë komunë janë vetëm disa nga dhjetëra projektet kapitale të planifikuara për këtë vit, por që nuk u realizuan.Se përse ndodhi kështu, zyrtarët komunalë në Drenas e Malishevë nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë.

Paratë për projekte kapitale në Kosovë planifikohen me buxhetin e çdo viti kalendarik.Me buxhetin e përgjithshëm të këtij viti prej 3.3 miliardë eurosh, për investime kapitale ishin ndarë 859 milionë euro.

Prej tyre, deri në tetor, u shpenzuan rreth 215 milionë euro, sipas raporteve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ndërsa në portofol mbeten edhe rreth 644 milionë.Projektet në të cilat u investua këtë vit, por edhe viteve të kaluara, përfshijnë kryesisht: ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale, blerjen e pajisjeve informative, kompjuterëve dhe automjeteve transportuese, renovimin e institucioneve publike, si: çerdhe, objekte spitalore, shkolla e të tjera.

Në katër vjetët e kaluar, nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, u ndanë gjithsej mbi 3 miliardë euro për projekte kapitale. Prej tyre u shpenzuan vetëm 1.6 miliard.MFPT-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cila është arsyeja e mosshpenzimit të këtyre parave.

Një gjë e tillë nxiti kritika të ashpra nga opozita, e cila e konsideroi si tregues dobësie të Qeverisë Kurti.Kjo, pavarësisht faktit se mjetet e ndara për shpenzime kapitale nuk u shpenzuan as në qeverisjet paraprake, të udhëhequra nga kryeministri Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës – tani në opozitë.

Në vitin 2017, për shembull, kur Haradinaj qeveriste në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe pakicat joserbe, u ndanë mbi 720 milionë euro për shpenzime kapitale, por u shpenzuan mbi 460 milionë.Në çdo vit, nga 2017-ta e këndej, tepruan qindra miliona euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here